Osmani dhe Gërvalla takuan presidentin e Guajanës, Mohamed Irfaan Ali
New York, 21 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministrja Gërvalla, në vazhdën e takimeve me liderë botërorë gjatë qëndrimit në Nju Jork takuan presidentin e Guajanës, Mohamed Irfaan Ali.
Në takim me presidentin Ali, Presidentja Osmani ofroi pasqyrë të zhvillimeve në Kosovë dhe në rajon, përfshirë këtu zhvillimet politike, ekonomike, por edhe sfidat me pandeminë.
Edhe në këtë takim, Presidentja Osmani i kërkoi Guajanës përkrahje për lobim te shtetet e saj fqinje në Amerikën Qendrore e Jugore për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se dialogu ka kuptim kur në fund të tij do të pasojë njohja e ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe sipas rendit juridik aktual.
Më tej, Presidentja Osmani ka folur edhe për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ajo përmendi promovimin e mundësive për investime, shkëmbime tregtare dhe ekonomike.
Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në arsim, turizëm dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Kurse presidenti Ali ka thënë se Guajana e ka përkrahur vazhdimisht Kosovën dhe shprehu gatishmërinë për thellim të raporteve mes dy shteteve. Ai theksoi gatishmërinë e institucioneve të Guajanës që t’i intensifikojnë marrëdhëniet me Kosovën dhe e ritheksoi mbështetjen e tij për procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.