OSBE mbështet televizionet dhe radiot në disa gjuhë
Prishtinë, 8 prill - Misioni i OSBE-së në Kosovë ka lansuar sot një projekt për mbështetje të emetimit të programeve në gjuhët tjera jo-shqiptare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Projekti ka për synim që të ndihmojë bashkëpunimin mes RTK-së dhe televizioneve të pavarura lokale e kompanive transmetuese të pavarura, me qëllim që të përmirësohet cilësia e informimit të ofruar nga komunitetet jo-shqiptare duke siguruar raportim më të mirë dhe më kuptimplotë, si dhe të ngritet vëllimi i informacionit të paraqitur për audiencën.
Ky projekt do të mbështet promovimin e transmetimit të programeve në disa gjuhë, dhe në këtë mënyrë do të sjellë më afër informacione për të gjitha komunitetet, tha Ambasadori Werner Almhofer, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Gjithashtu kjo do të ndihmojë stacionet televizive lokale në zhvillimin e kapaciteteve të emetimeve të programeve.
Sipas projektit, nga sot deri më 30 nëntor, 192 reportazhe të shkurta televizive nga pjesë të ndryshme të Kosovës do të transmetohen në programet javore të RTK-së në gjuhët serbe, turke, boshnjake dhe rome.
Reportazhet do të emetohen nga kompanitë televizive lokale. Stacionet televizive në gjuhën serbe TV Plus, TV Herc dhe TV Mir, si dhe radio Gorazhdevac do të bëjnë reportazhe për programin javor në gjuhën serbe të RTK-së Nedeljni kolazh. TV Besa në Prizren do të kontribuojë për programin javor në gjuhën turke, duke përgatitur reportazhe për programin javor në gjuhën turke Mozaik.
Kompania e produksionit të pavarur TV Diaspora nga Peja do të përgatisë reportazhe për programin në gjuhën boshnjake Mostovidhe Produksioni kompanisë të pavarur Balkan Sunflowers do të punojë për Jekhipe, një magazinë javore e televizionit në gjuhën rome.
Projekti është vazhdim i bashkëpunimit mes Misionit dhe televizioneve lokale, produksioneve të pavarura e kompanive që kanë filluar të punojnë në vitin 2010, kur raportet e shkurta televizive ishin përgatitur dhe emetuar në gjuhët jo-shqiptare në emisionet e lajmeve të RTK-së dhe magazinat javore.
Misioni i OSBE-së në Kosovë përpiqet të sigurojë transmetues publik të pavarur, profesional dhe të qëndrueshëm dhe fokusohet në qasje për informim cilësor për komunitetet jo-shqiptare.