Opozita libiane so të kërkojë sulme ajrore nga vendet e huaja
Tripoli, 3 mars - Udhëheqësit libianë të opozitës në Bengazi po debatojnë rreth mundësisë për të kërkuar sulme ajrore nga vende të huaja kundër instalimeve ushtarake të udhëheqësit Moamar Gadafi dhe pikave të tjera të rëndësishme.
Zyrtarët e këshillit që qeveris Bengazin thanë të martën se pa sulme ajrore të huaja dhe embargo, përballja me forcat e Gadafit mund të mos marrë fund asnjëherë.
Gazeta Washington Post citoi tre anëtar të këshillit të kenë thënë se do ta bëjnë së shpejti kërkesën për sulmin ajror, duke tërhequr premtimet e mëparshme për të mos kërkuar ndërhyrje ushtarake nga jashtë.
Ata thanë se nuk duan trupa tokësore të huaja në Libi. Këshilli përbëhet nga avokatë, akademikë, gjykatës dhe figura të tjera të njohura.
Disidentët libian në takimet që kanë patur në Uashington këtë javë kanë bërë thirrje të ngjashme për mbështetje më të madhe logjistike nga forcat amerikane dhe të NATO-s, përfshi sulme ajrore kundër forcave ajrore, tankeve dhe trupave të Gadafit.
Departamenti i Shtetit i konfirmoi takimet me një numër figurash të opozitës libiane por nuk dha detaje. Ambasadorja amerikane në OKB Suzan Rajs ka thënë se është e parakohshme të diskutohet ndihma ushtarake për opozitën libiane ndërkohë që fraksione të ndryshme përpiqen të bëhen më të organizuara.
Ndërkohë, një oficer ushtarak rebel tha të martën se udhëheqësit e forcave opozitare që kontrollojnë lindjen e vendit po formojnë një grup vullnetarësh dhe dezertorësh për të ecur drejt kryeqytetit Tripoli, sapo të çlirohet nga brenda. Kapiteni Faris Zuei tha për agjencinë e lajmeve Reuters se janë më shumë se 10 mijë vullnetarë në qytetin Axhdabija, rreth 800 kilometra në lindje të kryeqytetit.