OKB: Uria në vendet e Afrikës Lindore vazhdon të përhapet
New York, 12 gusht - Shtetet e Bashkuara njoftuan për një fond shtesë prej 17 milionë dollarësh për ti ardhur në ndihmë vendeve të Afrikës Lindore për të luftuar urinë dhe thatësirën.
Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton bëri të ditur të enjten se 12 milionë dollarë do ti shkojnë Somalisë, që është goditur më rëndë nga thatësira.
Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë dhënë një ndihmë prej 580 milionë dollarësh në ndihmë të rajonit, përfshirë 105 milionë dollarë që u bënë të njohura të hënën.
Duke folur në Washington, Sekretarja Clinton e cilësoi situatën në Bririn e Afrikës si emergjencën më të rëndë humanitare të botës.
Ajo tha se ndihma synon ti vijë në ndihmë rreth 4 milionë e 600 mijë njerëzve të prekur nga thatësira dhe uria.
Të mërkurën OKB-ja tha se uria në vendet e Afrikës Lindore vazhdon të shtohet dhe se refugjatët somalezë po vërshojnë në Kenia, megjithë përpjekjet për të lehtësuar gjendjen e urisë.
Zyrtarët e OKB-së thonë se gjatë javës së parë të gushtit, mesatarisht 1 mijë e 500 somalezë arrinin çdo ditë në kampet e refugjatëve në Dadaab të Kenias veriore. Numri i refugjatëve filloi të rritet që nga korriku.
Kombet e Bashkuara thonë se kriza e urisë ende nuk ka arritur kulmin dhe po i kërkojnë komunitetit ndërkombëtar më tepër se 1 miliardë dollarë ndihma për të shpëtuar jetën e njerëzve.