OKB: SHBA nuk na monitoron
New York, 31 tetor - Kombet e Bashkuara deklaruan të mërkurën se autoritetet amerikane i kanë siguruar se komunikimet telefonike të kësaj organizate nuk janë përgjuar dhe nuk do të monitorohen.
Zëdhënësi i OKB-së Martin Nesirky deklaroi se misionet diplomatike, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, mbrohen nga ligjet ndërkombëtare, ndaj të gjitha shtetet anëtare duhet të veprojnë në bazë të këtyre rregullave.
Shtëpia e Bardhë është përballur kohët e fundit me kritikat për praktikat e përdorura nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, që kur ish punonjësi Edward Snowden nisi të publikonte dokumente sekrete në qershor.
Por ditët e fundit administrata e Obamës është përballur me një furtunë të re diplomatike, kur u njoftua se telefoni i kancelares gjermane Angela Merkel ishte përgjuar për më shumë se një dekadë. Acarimin e tyre e shprehën edhe udhëheqësit e Brazilit, Francës e Spanjës.
Skandali i përgjimeve ka përkeqësuar marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij kryesorë.