OKB përshëndet marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë
New york, 7 dhjetor - Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, përshëndeti arritjen e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufijve (IBM), mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa pret se kjo do të hap rrugën për normalizimin e situatës në pikëkalimet në Bërnjak dhe Jarinjë.
Ban po ashtu shprehu besimin se në sajë të marrëveshjes së arritur, \"në mënyrë paqësore do të riinstalohet liria lëvizjes\".
Siç ka thënë zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm, Martin Nesirky, Ban u bëri thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë të zhvillojnë dhe të zbatojnë marrëveshjen e bazuar në konkluzat e IBM-së, të cilat janë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kërkoi gjithashtu që të gjitha palët të respektojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, që të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të mbështesin uljen e tensioneve në terren.