OKB nuk do të jetë pengesë në proceset e Kosovës

Prishtinë, 6 shtator - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me ushtruesin e detyrës së PSSP-së, Farid Zarif. 
Pasi u falënderua për pritjen, Farid Zarif, ndër të tjera  ia përcolli  kryekuvendarit Krasniqi  edhe mesazhin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon , në të cilin theksohet se OKB-ja  nuk do të jetë pengesë në proceset aktuale që po zhvillohen në Kosovë. 
Në këtë frymë shprehet gatishmëria për implementimin e Pakos së Ahtisaarit edhe veri të vendit. 
Kryekuvendari Krasniqi duke u falënderuar për kontributin që ka dhënë OKB-ja në zhvillimet e gjithmbarshme demokratike në Kosovë, theksoi se  ka ardhur koha që OKB-ja  të përmbyllë misionin e saj në Kosovë. 
Në këtë takim bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se implementimi i ligjit në tërë vendin dhe bllokada  që i vihet kontrabandës që vjen nga Serbia janë krejtësisht të ligjshme.  
   
 
















