OKB miraton sanksione kundër Boko Haram
Abuja, 23 maj - Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka miratuar sanksione kundër militantëve të Boko Haram të cilët veprojnë në Nigeri. Vendimi vjen 5 javë pasi militantët kanë rrëmbyer më shumë se 200 vajza.
Boko Haram do të shtohet në listën e organizatave të lidhura me al-Qaeda-n, mbi të cilat është vendosur embargo armësh dhe ngrirje e aseteve financiare. Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power tha se vendimi ishte një hap i rëndësishëm në mbështetje të përpjekjeve për të mposhtur Boko Haram.
Së fundmi ky grup është akuzuar për vrasjen e 27 personave në një fshat në veri-lindje të Nigerisë.
Banorët thanë se persona të armatosur kanë qëlluar mbi punëtorët e fermave në Chikongudo dhe më pas i kanë vënë zjarrin shtëpive
Në muajin prill militantët e Boko Haram rrëmbyen rreth 220 vajza nga një shkollë, ky veprim i tyre ka shkaktuar një reagim të madh jo vetëm nga përfaqësuesit e shteteve më të rëndësishme në botë, por edhe nga personazhe të njohur të cilët janë solidarizuar për gjetjen dhe shpëtimin e vajzave. / Top Channel