OKB miraton projektrezolutën që dënon agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës
New York, 2 mars - Me 141 vota për, 5 kundër dhe 35 abstenime, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi projektrezolutën që dënon ofensivën ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës.
Votimi u zhvillua pas fjalimeve të mbajtura në mbledhjet e jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Ukrainën, të cilat vazhduan për tri ditë.
Rusia, Bjellorusia, Siria, Koreja e Veriut dhe Eritrea votuan kundër projektligjit, ndërsa 35 vende, përfshirë Kinën dhe Indinë, abstenuan.
Duke qenë ndër bashkëprezantuesit e projektrezolutës, Turqia u bë një nga vendet e grupit kryesor që kontribuoi në tekst.
Në rezolutën e miratuar, ndërsa dënohen fuqishëm sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës, nga Moska kërkohet “tërheqja e menjëhershme, e plotë dhe e pakushtëzuar e të gjitha forcave ushtarake nga territori ukrainas”.
Duke theksuar sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, rezoluta thotë: “Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës në shkelje të nenit 2, paragrafi 4 i Konventës së OKB-së, u prit me keqardhjen më të madhe”.
Në rezolutë, ku theksohet se Rusia duhet t’i japë fund aktiviteteve të saj ushtarake në Ukrainë, thuhet se vendimi i Rusisë për të njohur të ashtuquajturat republika Donetsk dhe Luhansk më 21 shkurt është i pavlefshëm, ndërsa potencohet se “Rusia duhet të anulojë menjëherë dhe pa kushte këtë vendim”.
Rezoluta fton palët të respektojnë Marrëveshjen e Minskut dhe thekson se duhet të sigurohet qasje në zonat ku duhet të dërgohet ndihmë humanitare.
Rezoluta i drejtohet edhe Bjellorusisë, e cila ka mbështetur ofensivën ruse, duke shprehur pakënaqësinë me përfshirjen e saj në përdorimin e paligjshëm të forcës kundër Ukrainës. Ky vend po ashtu është ftuar që të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme janë kuptimplote për sa i përket zbulimit të qasjes së përgjithshme të shteteve anëtare të OKB-së për një çështje, por nuk kanë fuqi sanksionuese.