OKB kundërshtoi propozimin e Serbisë për hetim nga KS
New York, 17 shkurt - Në sesionin për Kosovën pasdite vonë dje në New York, ku u shqyrtua raporti i radhës i Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon, vendet perëndimore hodhën poshtë idenë e Beogradit për autorizimin e një hetimi të pavarur nga ana e Këshillit të Sigurimit për akuzat për tregti me organe të qytetarëve serbë të vrarë gjatë luftës më 1999.
Është kjo një akuzë e bërë publike në dhjetor të vitit të kaluar, e përmbledhur në pako po nga vetë Serbia dhe e ricikluar me një ambalazh të ri nga senatori zviceran Dick Marty, të cilën kohë më parë e kapërdiu edhe Këshilli i Evropës.
Idenë e Serbisë e mbështeti fuqishëm ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara Vitalij Churkin, duke thënë se ndante qëndrimet plotësisht të njëjta me ministrin Jeremiq.
Vlora Çitaku, ushtruese e detyrës së ministres së Jashtme ritheksoi qendrimin zyrtar të Kosovës për një hetim korrekt dhe të hollësishëm nga EULEX-i, i ngarkuar nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që ka ekspertizën, burimet, prokurorët dhe gjykatësit për të hetuar në hollësi akuzat.
Në fjalën e saj para vendeve të KS të KB-ve, Çitakua ka theksuar se akuzat e përmendura në këtë raport nuk janë të reja, por ato tashmë kanë qenë subjekt i hetimeve ndërkombëtare, në veçanti i Tribunalit të Hagës, UNMIK-u dhe së fundi nga EULEX-i.
Populli i Kosovës më shumë se çdo kush tjetër, ka nevojë dhe kërkon hetime pasi nuk ka asgjë çfarë të fshehë. Një qëndrim i njëjtë, i qartë është shprehur edhe nga Qeveria e Shqipërisë, ka theksuar ajo, duke shtuar se raporti ka lënduar thellësisht ndjenjat e kosovarëve, por gjithashtu ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës
Të njëjtën gjë e tha edhe përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm, Lamberto Xanier, duke nënvizuar se EULEX-i ka ekspertizën dhe juridiksionin.
Ambasadorja Rosemary DiCarlo, zëvendëspërfaqësuese amerikane në Kombet e Bashkuara, tha se EULEX-i ka mandat të plotë të hetojë akuzat ndërsa SHBA nuk mendonin se duhet të krijohej një mandat tjetër ad-hoc ndërkombëtar.
Ajo në fjalën e saj uroi popullin e Kosovës për tre vjetorin e pavarësisë dhe ritheksoi përkushtimin e Washingtonit për një Kosovë stabile dhe demokratike. Qëndrime të njejta patën edhe ambasadorët e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë.
Ambasadori gjerman përshëndeti arritjet e Kosovës në tre vjetorin e pavarësisë dhe njohjen nga 75 vende. Ai, ashtu si edhe ambasadori i Francës, tha se pavarësia e Kosovës i ka kontribuar stabilitetit në rajon dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë.