OKB i kërkon Sirisë të dorëzojë armët kimike
New York, 10 maj - Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Sirisë që të përfundojë dorëzimin e armëve kimike brenda afatit të caktuar. Forcat e mirëarmatosura të presidentit Bashar al-Assad duket se po fitojnë eperësi në luftën civile që u ka marrë jetën rreth 150 mijë njerëzve dhe ka përçarë vendin.
Shtetet e Bashkuara kanë premtuar të shtojnë ndihmat jo-ushtarake për opozitën siriane, ndërkohë që një numër në rritje ligjvënësish amerikan thonë se kjo nuk është e mjaftueshme në konfliktin vdekjeprurës.
Sigrid Kaag, shefe i misionit të OKB për Ndalimin e Armëve Kimike tha të enjten në Nju Jork se shumica e armëve kimike të Sirisë janë dërguar për tu asgjesuar por se 8 përqind e tyre janë ende në duart e qeverisë së Assadit.
Është arritur përparim i dukshëm në heqjen dhe eleminimin e armëve kimike me rreth 92 përqind. I vetmi shqetësim është se nuk kemi qasje tek 8 përqind e armëve si rezultat i kushteve të sigurisë në atë vend.
Zonja Kaag u bëri thirrje autoriteteve siriane që të lejojnë qasje të sigurtë tek armët kimike deri kur mbaron afati me 30 qershor.
Në Uashington Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u takua me presidentin e koalicionit opozitar sirian Ahmad al-Jarba.
Kemi ndërmarrë disa hapa këtë javë për të demostruar rritjen e partneritetit tonë me koalicionin dhe duam të vazhdojmë dialogun për një gamë të gjerë shqetësimesh të përbashkëta në Siri, përfshi dhënien fund të dhunës, luftës kundër regjimit, lehtësimi i krizës humanitare dhe përpjekjet që një ditë të shohim një qeveri të vërtetë përfaqësuese ndaj nevojave të popullit sirian.
Përfaqësuesi sirian, Ahmad al-Jarba, kërkoi më shumë mbështetje amerikane në betejen e pabarabartë me forcat qeveritare të armatosura mirë.
Populli sirian i ka sytë tek Amerika që ka rol udhëheqës në botë. Synimi ynë është krijimi i një shoqërie civile pluraliste...të një shteti ku të gjitha pakicat të jetonin krah për krah me shumicën.
Presidenti Assad e ka caktuar datën 3 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, pavarësisht vazhdimit të luftimeve dhe mungesës së miliona sirianëve të cilët kanë lënë vendin si rezultat i konfliktit.