OKB do të krijojë qendra ndihme për emigrantët në Europë

New York, 28 shkurt - Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se do të krijojë qendra të posaçme ndihme për familjet dhe fëmijët e emigrantëve, gjatë udhëtimit të tyre në Europë.
Lajmi u bë i ditur nga Volker Turk, zyrtar i Komisionerit të Lartë për Refugjatët i OKB-së .
\"Vendet e ndryshme duhet të reagojnë në mënyrë të bashkërenduar, por fatkeqësisht ne nuk po e shohim këtë në praktikë. Prandaj, OKB-ja propozon si rrugëdalje krijimin e 20 vendstrehimeve familjare përgjatë itinerarit të refugjatëve nga Greqia në Slloveni\", tha Turk.
Sipas tij, gratë dhe fëmijët e mbërritur në shkurt, në brigjet detare europiane zënë gati 60% të refugjatëve.
Masa e fundit për ngadalësimin e fluksit të emigrantëve e ndërmarrë nga Austria, Sllovenia dhe Maqedonia është kufizimi deri në 600 i refugjatëve, që hyjnë çdo ditë në territorin e tyre.