OKB, 8 milion sirianë kanë nevojë për ndihma humanitare
New York, 22 maj - Janë konkretisht 8.3 milion persona apo 38 për qind e popullsisë siriane të cilët kanë nevoja për ndihmat humanitare ndërkombëtare.
Kështu ka deklaruar Panos Momtezis, koordinatori i OKB për çështjet humanitare dhe të të shpërngulurve në rajon, i cili ndër të tjera tha se 6.8 milion sirianë brenda Sirisë dhe 1.5 milion jashtë tij, po përballen me shtimin e dhunës, destabilizimin dhe me situatën e rënduar të jetesës të krijuar nga trazirat në këtë vend.
Sipas koordinatorit të OKB, që nga fillimi i këtij viti situata në Siri është përkeqësuar gjithnjë e më shumë dhe kjo është në kohën kur UNICEF ka paralajmëruar se gjysma e sirianëve të shpërngulur jashtë vendit përbëhet nga fëmijët të cilët mbahen nëpër kampet e strehimit në vendet fqinje në kushtet më të rënda për jetesë.
Sipas raportit të OKB të shpërngulurit sirianë që janë vendosur në vendet fqinje dhe janë vendosur nën përkujdesjen e OKB kanë kaluar numrin e 1.4 milion personave.