OKB: 6.8 milionë sirianë kanë nevojë për ndihmë humanitare
New York, 31 korrik - Rreth 6.8 milionë sirianë kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe 1.8 milion të tjerë janë larguar nga vendi i tyre që nga shpërthimi i krizës më shumë se dy vjet më parë, bëri të ditur një zëdhënës i OKB-së të martën.
\"Sivjet, deri tani, agjencitë e OKB-së dhe partnerët humanitarë kanë organizuar 21 autokolona dhe u kanë ofruar ushqime, ujë dhe furnizime mjekësore rreth 1.8 milionë njerëzve në zonat e largëta,\" tha në një konferencë shtypi zv.zëdhënësi i OKB-së Eduardo del Buey.
Programi Botëror i Ushqimit, duke punuar me 22 organizata joqeveritare vendore, u ka ofruar 2.4 milion njerëzve ndihmë ushqimore këtë muaj, u shpreh Del Buey, duke shtuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e saj kanë siguruar kujdesin shëndetësor parësor dhe furnizime mjekësore në të gjithë Sirinë.