Obama: ShBA-ja, partnere e fuqishme e Kosovës
Uashington, 17 shkurt - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Barack Obama, e ka uruar presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin tetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Ai në urimin e tij ka shkuar se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën për krijimin e një demokracie vibrante dhe shumetnike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin pa u lëkundur popullin e Kosovës për krijimin e një demokracie vibrante dhe shumetnike. E ardhmja e Kosovës sovrane është shtet partner i integruar plotësisht në skenën ndërkombëtare, ka shkuar Obama në urimin e tij.
Urimin i plotë i presidentit Barack Obama:
E nderuara zonja presidente,
Ju lutem pranoni urimet e mia personale dhe të popullit amerikan për përvjetorin e tetë të Kosovës si shtet i pavarur.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin pa u lëkundur popullin e Kosovës për krijimin e një demokracie vibrante dhe shumetnike. E ardhmja e Kosovës sovrane është shtet partner i integruar plotësisht në skenën ndërkombëtare. Gjatë vitit të kaluar Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm drejt këtij qëllimi të përbashkët, në veçanti me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.
Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Kosovën për përparimin që po bën për arritjen e marrëveshjeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Gjithashtu, Kosova ka demonstruar përkushtim për sundim të ligjit duke i hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për ti adresuar pretendimet për krime lufte.
Këta hapa po avancojnë sovranitetin e Kosovës dhe po e inkurajojnë një Ballkan më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
Në vitet e ardhshme na presin shtigje të reja të bashkëpunimit në marrëdhëniet tona bilaterale, përfshirë edhe përmes programit Kompakt në mes të Kosovës dhe Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).
Shtetet e Bashkuara do të mbeten partnere të fuqishme të atyre që duan në Kosovë një të ardhme paqësore, demokratike dhe prosperuese për vendin e tyre.
Sinqerisht,
Barack Obama