22 Dhjetor 2024

Obama - Medvedev: Marrëveshje historike

Pragë, 8 prill - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, e nënshkruan në Pragë Traktatin mbi armët bërthamore.

Sipas Marrëveshjes së nënshkruar, të dyja vendet, brenda shtatë vjetësh, do t’i reduktojnë rezervat e kokave bërthamore në 1550. Ujdia gjithashtu redukton numrin e bombarduesve dhe raketave në nga 700 për secilën palë.

Marrëveshja zëvendëson Traktatin për Reduktimin e Armëve Strategjike - START, që ka skaduar në dhjetorin e kaluar.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, presidenti amerikan, Barak Obama, deklaroi:

“Sot është një ditë themeltare për sigurinë bërthamore dhe marrëdhëniet amerikano-ruse. Përmbushet objektivi ynë i përbashkët për të negociuar Marrëveshjen e Re të Reduktimit të Armëve Strategjike dhe përfshin reduktim të rëndësishëm të armëve bërthamore”.

Marrëveshja është nënshkruar një vit pas zotimit të presidentit amerikan në Pragë, kur kishte ftuar për një botë të liruar nga armët bërthamore. Obama përkujtoi atë zotim dhe në këtë kontekst tha:

“Një vit më parë erdha në Pragë dhe u zotova për ndaljen e zgjerimit të armatimit bërthamor. E kam thënë atëherë dhe e përsëris edhe tash, se ky është një synim afatgjatë”.

Ndërkaq, presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, tha:

“Kemi jetësuar dokumentin që në tërësi ruan balancën e interesave të Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara. Esenca e kësaj marrëveshjeje konsiston në faktin se nuk ka fitues dhe të humbur”.

Presidenti rus, megjithatë, vuri në pah se Moska mund të tërhiqet nga kjo marrëveshje, nëse Shtetet e Bashkuara ndërtojnë një sistem të mbrojtjes kundër-raketore, që do ta rrezikonte potencialin strategjik bërthamor të Rusisë.

“Miqtë tanë amerikanë e dinë se Marrëveshja do të jetë valide dhe efektive vetëm nëse nuk do të ketë elemente të reja cilësore dhe kuantitative të sistemit të mbrojtjes kundër-raketore, që do t’i rrezikonte forcat strategjike ruse”, tha Medvedev.

Pavarësisht nga këto deklarime, analizat e para të Marrëveshjes, që do të bëhet publike në versionin e plotë deri në fund të muajit prill dhe pastaj do t’u propozohet parlamenteve të të dyja vendeve për ratifikim, thonë se “nuk kemi të bëjmë me revolucion në sferën e çarmatimit”.

Analistët pohojnë se Marrëveshja ka më shumë rëndësi për politikën sesa për sigurinë. Eksperti ushtarak, Aleksandër Golc, thotë se ujdia kërkon reduktim minimal të arsenaleve bërthamore te të dyja palët.

“Ajo hap mundësinë për bashkëpunim në shumë çështje reale të sigurisë, siç është: Afganistani, Irani dhe çështje të tjera që mund të tregohen shumë të frytshme për të dyja palët”, thotë Golc.

Analisti tjetër ushtarak, Xhorxh Mirski, pohon se kjo marrëveshje do të ndihmojë për të ndalur propagandën antiamerikane në Moskë.

“Tash do të jetë shumë më vështirë për të gjithë antiamerikanët dhe ata që e urrejnë Amerikën që t’u thonë njerëzve se Shtetet e Bashkuara janë fajtore për çdo gjë”, thotë analisti Mirski.

Ai shton se nënshkrimi i Marrëveshjes do t’i avancojë marrëdhëniet dypalëshe, por nuk prek balancën e forcës ndërmjet dy palëve dhe as natyrën e raporteve të ndërsjella.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)