Numri i viktimave nga përmbytjet në Indi arrin në 680
New Delhi, 23 qershor - Autoritetet indiane kanë njoftuar se kanë evakuuar 70 mijë persona nga zonat e goditura nga përmbytjet ndërsa 22 mijë persona të tjerë ende gjenden në zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
Numri i viktimave të kësaj katastrofe natyrore ka shkuar në 680 persona. Agjencia kineze e lajmeve ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së djeshme janë evakuuar më shumë se dhjetë mijë persona nga rajone të ndryshme të goditura nga përmbytjet në provincën Utarakand në veri të këtij vendi.
Kjo është në kohën kur parashikimet meteorologjike bëjnë të ditur se ditën e hënë ose të martë reshjet e shiut do të fillojnë përsëri në provincën Utarakand.
Operacionet për evakuimin dhe shpëtimin e popullatës akoma vazhdojnë. Kreu i ekzekutivit të provincës Utarakand ka thënë se numri i viktimave nga përmbytjet në këtë provincë mund të shkojë në një mijë persona sepse supozohet se shumë trupa të tjerë janë bllokuar nga përmbytjet.