Numri i azilkërkuesve në Austri zvogëlohet ndjeshëm
Vjenë, 18 korrik - Numri i azilkërkuesve në Austri është zvogëluar ndjeshëm, sipas statistikave paraprake gjashtëmujore të Ministrisë së Brendshme të këtij vendi.
Rreth 7.098 persona kanë aplikuar për azil në 6 muajt e parë të këtij viti, një shifër e ulët si në vitin 2011, ndërkohë që një vit më parë numri ishte 12.673, ndërsa në 2015-n rezultonin 28.311 aplikime.
Shumica e azilkërkuesve ishin meshkuj, 59%.
Grupi më i madh i aplikantëve vinte nga Siria me 1.829 kërkesa, pasuar nga Afganistani me 1.062 të tilla.
Kanë rezultuar gjithashtu 297 refugjatë të mitur e të pashoqëruar, të cilët kanë aplikuar për azil në gjysmën e parë të vitit, 31 prej të cilëve ishin nën 14 vjeç dhe gjysma e tyre ishin afganë.
Refugjatët sirianë kanë shanse shumë të larta, rreth 90%, për t’iu njohur azili, ndërsa afganët vetëm 48%.