Nuk ka liberalizim vizash për Kosovën

Në pako, Këshilli nuk e ka dhënë rekomandimin e shumëpritur nga autoritetet e Kosovës, për liberalizimin e vizave në zonën Schengen të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016.
Këshilli Evropian inkurajon Kosovën të vazhdojë përpjekjet e saj në mënyrë që të bëjë përparim në procesin e liberalizimit të vizave, thekson KE.
Këshilli Evropian ka vlerësuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) në tetor.
Kjo marrëveshje me BE-në, sipas Këshillit Evropian, përbën marrëveshjen e parë gjithëpërfshirëse ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Por, konkludimi, hyrja në fuqi dhe zbatimi i saj nuk paragjykon qëndrimet e shteteve anëtare përkitazi më çështjen e statusit, është thënë në raportin e KE-së.
Sa i përket raportit që pritet të dalë së shpejti në lidhje me përparimin që ka shënuar Kosova në përmbushjen e kushteve në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, Këshilli thekson rëndësinë e përmbushjes së të gjitha kushteve të përcaktuara për liberalizim të vizave dhe inkurajon Kosovës për të vazhduar me përpjekjet për të bërë progres në procesin e liberalizimit të vizave.
Qëllimi i Këshillit për të vazhduar diskutimet mbi një marrëveshje kornizë që ia mundëson Kosovës pjesëmarrjen në programet e Bashkimit Evropian nuk paragjykon qëndrimet e shteteve anëtare për statusin e saj.
Në pikën 52 të Raportit, Këshilli Evropian thotë se situata aktuale politike në Kosovë duhet të zgjidhet sa më shpejt.
Këshilli dënon përdorimin e dhunës për qëllime politike në veçanti dhe në pengimin e punës Kuvendit nga opozita, thuhet në raport.