Njohja e Kosovës nga Timori Lindor çështje ditësh
New York, 28 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, u takua në New York me Ministrin e Punëve të Jashtme të Timorit Lindor, Jose Luis Guterres.
Gjatë takimit ndërmjet Ministrit Hoxhaj dhe Ministrit Guterres, është bërë e ditur se njohja e Kosovës nga Timori Lindor është çështje ditësh dhe se ky vendim do të publikohet së shpejti.
Ministri Hoxhaj e ka falënderua homologun Guterres për pritjen që i është bërë par pak ditësh në vizitën zyrtare që ai ka zhvilluar në Timorin Lindor.
Hoxhaj po ashtu ka theksuar simpatinë e madhe që populli i Kosovës ka për popullin e Timorit Lindor, për shkak të historisë së ngjashme që dy popujt kanë përjetuar.
Ai sërish ka theksuar vullnetin e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për të forcuar marrëdhëniet me Qeverinë dhe popullin e Timorit Lindor, duke theksuar se njohja e Kosovës nga ky shtet do ti hap udhë një bashkëpunimi të fuqishëm ndërmjet dy vendeve.
Ndërsa, në një deklaratë për medie pas takimit, Hoxhaj ka rikonfirmuar se ky shtet shumë shpejt do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Timori Lindor do të zyrtarizojë shumë shpejt njohjen e Republikës së Kosovës, tha Hoxhaj, pas takimit në Nju Jork.
Edhe Ministri i Punëve të Jashtme i Timorit Lindor, Jose Luis Guterres ka thënë se njohja e Kosovës nga shteti i tij është çështje ditësh, duke ritheksuar qëndrimin shumë pozitiv dhe mbështetës që Qeveria dhe populli i Timorit Lindor kanë për Kosovën dhe pavarësinë e saj.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku po zhvillohet takimi i rregullt i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime me shumë përfaqësues të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, ndër të cilat edhe shumë shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ministri Hoxhaj, me 15 shtator ka zhvilluar një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Timorit Lindor, Dili, ku është i organizuar një pritje shtetërore nga përfaqësuesit e këtij shteti.
Gjatë takimeve, Hoxhaj ka marrë mbështetje dhe premtime për njohjen e shpejt të Kosovës nga ky shtet.