Njerëzimi përgatitet për lindjen e personit të 7 miliardtë
New York, 29, tetor - Njerëzimi do të shënojë një arritje të madhe më 31 tetor me lindjen e personit të 7 miliardtë.
Sipas statistikave, gjasat janë që foshnja të lindë në një pjesë të varfër dhe të mbipopulluar të Indisë, ku skamja dhe sëmundjet mbeten faktorë vendimtarë në jetët e njerëzve.
Në këtë moment historik, ndalemi tek sfidat që shoqërohen me rritjen e popullatës së globit dhe përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar sëmundjet dhe epidemitë:
Një vajzë që do të lindë të hënën në Utar Pradesh, në shtetin më të madh të Indisë, pritet të jetë njeriu i 7 miliardtë në planet. Që në fillim të jetës ajo do të përballet me vështirësi:
Kjo për arsye të shpërndarjes së popullsisë në Utar Pradesh, një zonë kryesisht rurale, pra ka më shumë gjasa që ajo të lindë në zonë rurale ku shërbimi për foshnjat është ndër më të dobëtit.
Michal Rutkowski është drejtor i Zhvillimit Njerëzor për Azinë Jugore pranë Bankës Botërore. Ai thotë se perspektiva për këtë fëmijë real, por simbolik, është e përzier:
Ajo do të jetë një indiane krenare, e lindur në një vend me rritje të shpejtë ekonomike dhe me një rol gjithnjë e më të madh në botë. Por ajo do të jetë pafat, pasi gjasat janë që të lindë në një zonë të varfër, ku shanset janë që të sëmuret dhe të vdesë në fëmijëri.
Shteti indian Utar Pradesh ka ndër ritmet më të larta të vdekshmërisë së foshnjeve. Vishwajeet Kumar drejton Qendrën për Shëndetin e Shtatzanisë, Foshnjes dhe Fëmijës në Shivgahr të Utar Pradeshit.
Ai thotë se vaksinimi i foshnjave i mbron nga infeksione dhe sëmundje në vende të tilla me probleme të mëdha:
Mund të shpikësh vaksina por duhet që këto vaksina të injektohen tek nëna dhe fëmija. Kemi pasur sukses me vaksinën e poliomelitit por ende kemi xhepa rezistente. Në fakt, për këtë arsye kemi ritme më të larta për të gjitha vaksinimet në Utar Pradesh. Por në këtë shtet, ndër shtresat më të varfëra, ritmet e vaksinimit janë 25 për qind më të ulëta. Pra mbrojta është shumë e ulët.
Michal Rutkowski thotë se lindja e personit të 7 miliardtë është thirrje për veprim në një numër drejtimesh.
Morali i kësaj historie është se politikat shtetërore duhet të tregojnë seriozitet më të madh për barazinë gjinore dhe qasjen ndaj shërbimeve, për luftën ndaj mungesave ushqimore dhe kushtet higjeno-sanitare e mundësitë e shkollimit.
Ekspertët thonë se edhe nëse kjo foshnje që ka një vlerë sa simbolike aq edhe historike për planetin, arrin të mbijetojë gjatë viteve të fëmijërisë, rrugëtimi i saj do të jetë i mbushur me probleme.