Një klan kokaine pas kërcënimeve ndaj Tadiç
Beograd, 15 prill - Sigurimi i disa shtetarëve të lartë serbë është ngritur në nivelin më të lartë të mundshëm, për shkak të frikës se narko-klani i kokainës, me në krye trafikantin serb, Darko Shariç, të kërkuar nga Interpoli dhe Europoli, synon të hakmerret dhe të likuidojë disa krerë të lartë të shtetit, të Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtorisë Informative të Sigurimit të Serbisë, deklaroi ditët e fundit sekretari shtetëror i Ministrisë serbe të Drejtësisë, Sllobodan Homen, të cilit i referohet e gjithë media e përditshme serbe.
Duhet të theksohet se kërcënime janë dërguar edhe në adresë të Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, i cili, sipas pjesëtarëve të strukturave kriminale, është bartësi kryesor i luftës kundër kriminalitetit të organizuar, i tha Homeni agjencisë serbe të lajmeve, Beta.
Ai vuri në dukje se, në bazë të të dhënave operative që kanë në dispozicion shërbimet e specializuara të Serbisë, kanë ekzistuar disa plane për likuidimin e disa funksionarëve të lartë, që përfshinin filmimin nga ana e personave përkatës të shtëpive, ku jetojnë këta funksionarë, dhe ndjekjen e bashkëpunëtorëve e të miqve të tyre më të ngushtë, me synimin për të përcaktuar kalendarin e përditshëm dhe lëvizjet e tyre.
Në disa gazeta lokale rajonale janë botuar shkrime, tekstet e të cilëve përmbanin mesazhe të shifruara se cilët njerëz janë objekte kërcënimi. Sipas informacioneve që kanë shtënë në dorë shërbimet tona të specializuara, ka plane tanimë të përgatitura për likuidimin e disa personave, të përfshirë në hetimet kundër klanit të Shariçit, dhe të disa funksionarëve të lartë shtetërorë, vuri në dukje Homen, duke saktësuar se, sipas planit kryesor, disa vrasës të paguar, me qëndrim në Beograd dhe me origjinë nga Mali i Zi, gjatë një aksioni të sinkronizuar dhe të koordinuar, do të vrisnin ata që konsiderohen si penguesit kryesorë të ekzistencës së rrjetit të narko-dilerëve në rajon.
Për shkak të këtyre informacioneve, sigurimi i disa funksionarëve të lartë të veçantë është ngritur në nivelin më të lartë të mundshëm dhe tani ata ndodhen të mbuluar me sigurim të plotë, theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë serbe të Drejtësisë.
Sipas tij, sigurimi i funksionarëve të lartë serbë u kërcënua në mënyrë suplementare mbas zbulimit të narko-klanit të kokainës, të kryesuar nga Darko Shariç, kundër të cilit është lëshuar një mandat arresti, pasi ka dyshime të bazuara se ai qëndron mbas dërgesës prej më shumë se 1 ton kokaine që ishte dërguar me anije nga Amerika Latine për në Europë dhe që u zbulua e u konfiskua, si rezultat i operacionit të përbashkët Luftëtari ballkanik, të organizuar muajt e fundit të vitit të kaluar nga shërbimet përkatëse amerikane dhe serbe.