Një drejtor banke vritet tjetri bënë vetëvrasje
Liechtenstein, 8 prill - Jurgen Frick, drejtor gjeneral i bankës private Frick në Liechtenstein është vrarë ditën e hënë në parkingun e bankës, ndërsa njëkohësisht është bërë e ditur se një bankier holandez e ka vrarë bashkëshorten dhe vajzën e më pas ka bërë vetëvrasje.
Për vrasjen e Frick-ut, policia zvicerane i vë në ngarkim financierit i cili është paraqitur dhe paraqitet si \"Robin Hood nga Liechtensteini\".
Fjala është për Jurgen Hermann, i cili siç supozon policia zvicerane, pas vrasjes ka bërë vetëvrasje.
Ai është zhdukur buzë lumit Rajna, ndërsa në kërkimin e policisë me qen kërkues kanë zbuluar dhe gjetur rrobat e tija dhe patentin e shoferit, pasaportën dhe një letër lamtumirës në të cilën e pranon krimin dhe i thotë lamtumirë kësaj bote.
Ai paraprakisht në faqen e tij të internetit www.200milionenklage.le ka shkruar Më kapni nëse mundeni, të gjallë ose të vdekur, shpërblimi është 200.000.000 franga zviceriane. Kërkimet për gjetjen e trupit të tij vazhdojnë.
Ka vrarë bashkëshorten, të bijën dhe pastaj vetveten
Në Amsterdam një bankier 57 vjeçar e ka vrarë bashkëshorten e tij dhe vajzën e tij të voglën dhe më pas ka bërë vetëvrasje.
Jan Peter Schmittmann, i cili ka udhëhequr tregtinë vendore në ABN AMRO, kur ajo ka qenë një nga bankat më të mëdha në botë, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në lagjen e pasur Laren jo shumë larg Amsterdamit.
Policia ka bërë të ditur se dëshmitë dhe provat forenzike tregojnë se para se të bëjë vetëvrasjen, ai ka vrarë bashkëshorten e tij 57 vjeçare dhe vajzën e tij 22 vjeçare.
Schmittmann ka lënë një letër lamtumirëse, por policia tani për tani nuk zbulon hollësi. Schmittmanni pas nacionalizimit të bankës është dashur të përfitojë një dëmshpërblim përcjellës në lartësi prej 16 milion euro, por pas kritikave të ministrit të atëhershëm të financave ai e ka marrë vetëm gjysmën e shumës së paraparë.
Ai është zyrtari i dytë i lartë bankar në ABN AMRO që pesë vitet e fundit vdes në rrethana misterioze.