Nisin bisedimet për çështjet e Drejtësisë dhe Sigurisë
Bruksel, 25 shtator - Nën kryesimin e zëvendëskryeministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, sot dhe nesër në Bruksel do të mbahen takimet e grupeve punuese në kuadër të dialogut për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Temë e diskutimeve në këto takime do të jetë, procesi i integrimit të komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës, në fushën e Sigurisë dhe të Drejtësisë, konform marrëveshjes për normalizim dhe planit për zbatimin e kësaj marrëveshje.
Delegacioni i Kosovës përbëhet nga: Ismet Kabashi, kryeprokuror i Shtetit, Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme, Salih Mekaj, kryetar i Gjykatës së Apelit, Albert Avdiu nga Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ehat Miftari nga Sekretariati i Këshillit Pokurorial, Shpend Maxhuni, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, drejtor i Departamentit të Operativës së Policisë, Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i ministrit Bajram Rexhepi dhe Gazmir Raci, këshilltar politik i zëvendëskryeministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri.