11 Janar 2025

Nishani, Berisha e Topalli mirëpresin protokollin e bashkëpunimit

Tiranë, 15 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Tiranë, sot ka zhvilluar takime të ndara me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli.

Tre udhëheqësit e institucioneve kryesore në Shqipëri kanë përgëzuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe atë të Shqipërisë për punën e bërë në finalizimin e Protokollit Ndërqeveritar për Bashkëpunim, të nënshkruar të premten nga ministri Hoxhaj dhe ministri Panariti.

Nishani, Berisha dhe Topalli e vlerësuan shumë të rëndësishëm këtë Protokoll, i cili do të përshpejtojë intensifikimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve dypalëshe në të gjitha fushat me theks të veçantë në ekonomi, tregti, teknologji, industri, kulturë, arsim etj..

Ata ofruan përkrahjen e mëtutjeshme të Republikës së Shqipërisë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, përmbylljen procesit të njohjeve si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale, evropiane e ndërkombëtare.

Kryeministri Sali Berisha i vlerësoi zhvillimet e mëdha që kanë ndodhur në Kosovë, e cila është shndërruar tashmë në faktor real të paqes dhe promovimit të bashkëpunimit e miqësisë në rajon.

Në këtë kontekst u vlerësua si një hap shumë i rëndësishëm aspekti i bashkëpunimit midis të dy vendeve e qeverive në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përpjekjet e përbashkëta për të zgjeruar njohjen ndërkombëtare të Kosovës, por edhe për një diplomaci sa më efikase në shërbim të njohjeve dhe në shërbim të zgjerimit të bashkëpunimit dhe paqes në rajon.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka falënderuar udhëheqësit e institucioneve të Shqipërisë për kontributin e tyre për forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Hoxhaj ka falënderuar veçanërisht Nishanin, Berishën e Topallin, për kontributin e tyre në procesin e njohjeve.

Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, Hoxhaj i shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përpjekjet, përkushtimin, mbështetjen e paçmuar e të vazhdueshme që Berisha personalisht dhe Qeveria shqiptare i ka dhënë e vijojnë t’i japin Kosovës e institucioneve të saj në të gjitha aspektet.

“Kudo ku shkoj, shoh gjurmët e mbështetjes tuaj për njohjen e Kosovës, dhe ju falënderoj shumë për këtë”, ka thënë Hoxhaj, gjatë takimit me kryeparlamentaren Topalli.

Ai ka njoftuar liderët e institucioneve të Shqipërisë edhe lidhur me procesin e Stabilizim Asociimit të Kosovës me BE-në, duke shprehur bindjen se negociatat për këtë do të nisin së shpejti.

Hoxhaj vlerësoi rëndësinë e posaçme që ka për Kosovën nënshkrimi i Protokollit të Bashkëpunimit i nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ky Protokoll është një dokument gjithëpërfshirës, i cili do t’i hap udhë një partneriteti strategjik dhe do të mundësojë thellimin e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, tregtisë, arsimit, shkencës, kulturës, e deri te bashkëpunimi në nivel lokal”, ka thënë Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)