Nis samiti i G7-s
Para sesioneve të së premtes të samitit, kancelarja gjermane Angela Merkel hodhi idenë për ngritjen e një mekanizmi për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Detajet e propozimit nuk janë bërë të qarta deri tani.
Udhëheqësit e G7-s po përpiqen të ruajnë unitetin e grupit, që përfshin shtatë vendet më të industrializuara në botë.
Shpresat për arritjen e një përparimi në samitin e Quebecut nuk janë të mëdha.
Presidenti i ShBA-së Donald Trump ka lënë të kuptohet se nuk ka ndër mend të tërhiqet nga vendosja e tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar nga Kanadaja, Meksika dhe Bashkimi Evropian.
Trump-i ndodhet në Kuebek, me gjithë njoftimet e mëparshme se ai mund të mos merrte pjesë në samitin dyditor, për të shmangur përballjen me udhëheqësit e tjerë të G7-s lidhur me tarifat.
Krahas Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres në samit marrin pjesë përfaqësues nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore si dhe krerë të shteteve dhe qeverive të Argjentinës, Norvegjisë, Islandës, Bangladeshit, Senegalit, Ishujve Sejshele, Xhamajkës, Haitit, Kenias dhe Ruandës.
Midis pjesëmarrësve të samitit do të jenë gjithashtu Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Donald Tusk.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau, në një deklaratë për mediat tha se të gjitha vendet e G7-s përballen me një problem të përbashkët nëse përfitimet e rritjes ekonomike; ndahen apo jo në mënyrë të drejtë.
"Si kryesuese e G7-s, Kanadaja është përballur me këtë sfidë ekonomike dhe në qendër të agjendës së samitit të G7-s këtë viti është objektivi për një rritje ekonomike që funksionon për të gjithë", tha kryeministri Trudeau.
Gjithashtu vlerësohet se Samiti i Liderëve të G7-s, ku me këtë rast Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, do të bëjë vizitën e tij të parë në Kanada si president, pothuajse do të jetë një "luftë tregtare" për shkak të taksave të rënda doganore mbi çelikun dhe aluminin që administrata Trump ka vënë në praktikë kohët e fundit.
Ministrat e Financave të gjashtë vendeve anëtare të G7 dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian në një deklaratë të përbashkët pas një takimi 3-ditor mbajtur para samitit në Kanada vendosën që të bashkohen kundër tarifave të reja doganore të ShBA-ve dhe shprehën "shqetësimet dhe zhgënjimet" për politikat e reja amerikane në veprimet tregtare.
Ndërsa ende nuk dihet se si do të ndikojë në samit ky bashkim i formuar kundër administratës amerikane.
Grupi, i njohur si G8, ku nga viti 1998 deri në 2014 ishin të anëtarësuar 8 shtete, filloi të quhet si G7 pasi Rusia u hoq nga grupi për shkak të aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
Grupi G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). G7-a njihet gjithashtu edhe si grupi i shtatë vendeve më të fuqishme ekonomike në botë.