Nikolliq: Njohja e Kosovës nuk është kusht
Beograd, 7 tetor - Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se fillimi i negociatave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është i kushtëzuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Nëse dikush mundet (tashmë) të jetë anëtar i BE-së dhe që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, atëherë edhe një shtet tjetër mund të bëhet anëtar edhe pse nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë, ka thënë Nikolliq, në një intervistë për të përditshmen kroate Jutarnji List.
Sipas tij, njohja e Kosovës nuk është kusht për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Bashkimi Evropian ka pesë shtete anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ato nuk janë përjashtuar nga BE. BE ka një qëndrim neutral ndaj statusit dhe si e tillë po lehtëson në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës. BE natyrisht është duke marrë vendime nën presionin e anëtarëve më ndikues të unionit që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka theksuar ai.
Nikolliq ka deklaruar se Serbia ka qenë e suksesshme në shprehjen e pikëpamjes së tij se pavarësia e vetëshpallur e Kosovës nuk mund të njihet. Por, sipas Nikolliqit, Serbia mund të marrë pjesë në bisedime me institucionet e Prishtinës me synimin e normalizimit të jetës së qytetarëve dhe krijimin e institucioneve demokratike.
Unë nuk do ta mbështes një vendim që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës duke u pajtuar që mos ta shoh Kosovën e Metohinë më si pjesë të Republikës së Serbisë, ka theksuar ai.
Nëse populli do ta ndryshonte Kushtetutën dhe do ta mirrte vendimin, atëherë unë do të pajtohesha me atë që vendos populli, ose si dikush që nuk pajtohet, do të rrija mënjanë dhe tu lëshoj rrugën atyre që janë në gjendje ta drejtojnë Serbinë në kushte të tilla, ka thënë Nikolliq, në intervistë për të përditshmen kroate Jutarnji List.