Nikoliq refuzon ftesën e Jahjagës
Beograd, 24 shtator - Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, nuk e ka pranuar ftesën për pjesëmarrje në Samitin e presidentëve të shteteve të rajonit, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Kosovës.
Kështu i është thënë gazetës serbe Danas nga zyra për informim e kabinetit të Nikoliqit.
Kabineti i presidentit serb ka thënë se, edhe nëse do të kishte ftesë për një takim të tillë nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ende nuk është momenti i duhur për një takim të tillë në Kosovë, transmeton Zeri.info.
Këshilltari i presidentes Jahjaga, Arber Vllahiu, në një intervistë për Danas, ka thënë se beson që një prej takimeve të ardhshme në mes të Jahjagës dhe Nikoliqit do të jetë në Kosovë, ku do të organizohet Samiti i ardhshëm i presidentëve të shteteve të rajonit.
Ai pati thënë se Jahjaga, si nikoqire e këtij takimi, që do të mbahet më 2014, do ti dërgojë ftesë zyrtare Nikoliqit për pjesëmarrje, dhe kishte shfaqur shpresën që një ftesë e tillë do të pranohej.