Nikoliq: Nuk e prejudikoj ndryshimin e statusit të Kosovës e as ndarjen
Beograd, 11 korrik - Presidenca e Serbisë ka sqaruar për opinion se me deklaratën e presidentit, Tomisllav Nikoliq, se mendon se kurrë nuk do të bëhet kryetar në Prishtinë, sikur që as kryetari i institucioneve të përkohshme të pushtetit në Prishtinë nuk do të jetë kryetar në Mitrovicë, nuk e prejudikon ndryshimi i statusit të Kosovës, as që pretendon në çfarëdo ndarje territoriale apo partiake.
Përkitazi me interpretimet e ndryshme të mediave lidhur me deklaratën e Tomisllav Nikoliqit, Presidenca e Serbisë konsideron se në atë mënyrë nuk prejudikohet çfarëdo ndryshimi i statusit të Kosovës, as zgjidhja e çështjeve të hapura, por gjithashtu nuk mohohen faktet se për momentin Serbia nuk i ushtron funksionet shtetërore në atë territor.
Rreth çështjes së Kosovës Presidenti i Serbisë po kërkon konsensusin të gjitha forcave relevante politike në Serbi duke marrë parasysh faktin se fjala është për çështjen më të rëndësishme në vend dhe zgjidhja e saj kërkon kundrim të hollësishëm dhe esencial të gjithë problemeve, në mënyrë që më të mos ndodhin interpretime të ndryshme të marrëveshjeve dhe çfarëdo mëdyshje në të ardhmen, thuhet në kumunikatë.
Në kumtes, thuhet se nga kjo arsye pritet formimi urgjent i qeverisë që sa më shpejtë të caktohet ekipi i cili do ta vazhdonte dialogun në interesin më të mirë të mundshëm të Serbisë, e para se gjithash të serbëve dhe të popullatës tjetër joshqiptare në Kosovë.
Deklarata e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq se ai mendon që asnjëherë nuk do të jetë president në Prishtinë, ashtu siç nuk do të jetë presidenti i institucioneve të përkohshme në Prishtinë asnjëherë president në Mitrovicë, ka pasur shumë reagime në Serbi.
Disa analistë kanë thënë se kjo deklaratë mund të nënkuptoj ndryshimin e qëndrimit të deritashëm të autoriteteve në Serbi se asnjëherë nuk do ta njihet shteti i Kosovës.