Nga sot fillon llogaritja dimërore e kohës
Prishtinë, 27 tetor - Nga sonte fillon llogaritja dimërore e kohës ku akrepat e orës do të zhvendosen një orë mbrapa.
Kjo do të thotë se në orën 3 të natës akrepat e orës duhet të kthehen në orën 2 kështu që gjumi shtohet për një orë më shumë vetëm të dielën.
Llogaritja dimërore e kohës fillon në fundjavën e fundit të tetorit dhe zgjat deri në fundjavën e fundit të marsit.
Zhvendosja e akrepave në Evropën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ’70-ta me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, mundësohet kursimi i konsumit të energjisë elektrike, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.
Kalimi i kohës verore dhe dimërore për herë të parë është vërejtur në vitin 1916 në vendet e Evropës Veriore, ndërsa deri më tani është vendosur në rreth 70 vende, kryesisht në hemisferën veriore.
Akrepat nuk zhvendosen në të njëjtën kohë kudo në botë. Kështu, SHBA-ja dhe Kanadaja në vitin 2007 e vendosën që llogaritja dimërore e kohës të fillojë në javën e parë të nëntorit dhe të përfundojë në javën e dytë të marsit.
Rusia tërësisht e ka hequr përllogaritjen dimërore të kohës në vitin 2011, ndërsa Islanda është vendi i vetëm evropian i cili nuk vendosi llogaritje dimërore dhe verore të kohës.
Nderkaq Bashkimi Evropian ka hedhur një tjetër hap drejt heqjes së ndryshimit të orës në pranverë dhe vjeshtë.
Një komision i Parlamentit Europian ka votuar për heqjen e këtij ndryshimi në vitin 2021.
Vendimi ndërkohë se cila orë do të mbahet, ajo dimërore apo ajo verore është shtyrë për më vonë.
Si komisioni i BE-së, ashtu edhe Parlamenti Europian mendojnë se koha për këtë lëvizje të akrepave ka kaluar, por për të ndryshuar ritualin nevojitet aprovimi i të 28 shteteve anëtare të bllokut dhe ai mungon.