Nëse pushton Ukrainën, Rusia do të goditet nga sanksionet masive
Washington, 1 shkurt - Falë një përpjekjeje dypartiake, Senati po përgatitet për atë që kryetari i komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, e ka quajtur si "nëna e të gjitha sanksioneve", që do t'i vendoseshin Rusisë në rast të pushtimit të Ukrainës.
Sipas kryetarit të komisionit Robert Menendez, senatorët janë në prag për të rënë dakord për një paketë masash që synojnë ta bëjnë koston financiare në rast agresioni ndaj Ukrainës, jashtëzakonisht të lartë për zyrtarët e lartë të qeverisë ruse, si dhe shtetasit e zakonshëm rusë.
Projektligji që po shqyrtohet tha zoti Menendez gjatë një interviste të dielën për rrjetin televiziv CNN, përfshin "sanksione masive kundër bankave më të rëndësishme ruse, që do të dëmtonin ekonominë e këtij vendi dhe që do të sillte pasoja domethënëse për rusët e thjeshtë në llogaritë e tyre bankare e pensione”.
Menendez tha gjithashtu se pret që Senati të miratojë ndihmë shtesë në armë për Ukrainën.
Senati po shqyrton marrjen e masave kundër Rusisë, ndërsa Moska ka dislokuar mbi 100,000 trupa përgjatë kufijve veriorë, lindorë dhe jugorë të Ukrainës. Në vitin 2014, Rusia pushtoi Krimenë, një rajon i Ukrainës, duke marrë kontrollin e saj. Në të njëjtën kohë, ajo filloi të ofrojë mbështetje për një kryengritje pro-ruse në Donbas të Ukrainës, një rajon që ka përjetuar një konflikt të gjatë, por me intensitet të ulët gjatë viteve të fundit.
Në një shfaqje të vendosmërisë dypartiake, republikani kryesor i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, James Risch tha se megjithëse nuk është i bindur që Rusia kishte marrë një vendim për të pushtuar Ukrainën, dërgimi i një mesazhi për pasojat ekonomike që do të paguante Moska, nëse një gjë e tillë do të ndodhte, është mjaft i rëndësishëm.