Nënshkruhen dy marrëveshje mes Kosovës dhe Bullgarisë
Prishtinë, 27 qershor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, pas arritjes në vizitë zyrtare në Sofje është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Nickolay Evtimov Mladenov.
Gjatë takimit është biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, përkatësisht institucioneve dhe qytetarëve të të dyja vendeve.
Në këtë aspekt, Ministri Hoxhaj dhe Ministri Mladenov, kanë nënshkruar dy marrëveshje: Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive si dhe Marrëveshjen për transport ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve.
Pas takimit, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Qeveria dhe populli i Bullgarisë më së miri e kupton nevojën e popullit të Kosovës për të lëvizur të lirë në Evropë.
Hoxhaj ka thënë se ka marrë përkrahje të fuqishme nga ky shtet për perspektiven evropiane të Republikës së Kosovës. Ne do të marrim përvojën e Qeverisë së Bullgarisë, në mënyrë që rruga jonë drejt BE-së të jetë më e lehtë dhe më e shkurtër, ka thënë Hoxhaj.
Ministri, po ashtu, ka thënë se Kosova dhe Bullgaria do të kenë një bashkëpunim shumë të thellë në fushën e ekonomisë, tregtisë, kulturës, arsimit dhe fushave të tjera.
Marrëveshjet e nënshkruara sot janë një shembull për këtë bashkëpunim që do të thellohet çdo ditë e më shumë, ka thënë Hoxhaj, duke bërë të ditur se me Ministrin Mladenov janë pajtuar që të themelohet një grup punues në mes dy MPJ-ve në mënyrë që të hartohet një plan veprimi për të implementuar agjendën e përbashkët.
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Bullgarisë, Nickolay Mladenov, ka thënë se Bullgaria mbështet integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë po ashtu se Qeveria bullgare do të vazhdojë të përkrah forcimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, pjesëmarrjen e saj në nisma rajonale dhe do të ndihmojë fuqishëm në procesin e liberalizimit të vizave.
Ne do ti ofrojmë autoriteteve kosovare të gjithë ekspertizën tonë për këtë proces. Do të kemi një plan të përbashkët në nivel të ambasadorëve për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Të kemi një agjendë të përbashkët dhe të shkurtojmë rrugën e Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ka thënë Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nickolay Mladenov.
Gjatë ditës, Ministri Hoxhaj është takuar edhe me Zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve te Brendshme të Bullgarisë, Tsvetan Tsvetanov, pas takimit me të cilin është arritur pajtimi që në një të ardhme shumë të shkurtër të nënshkruhen edhe dy marrëveshje shumë të rëndësishme për dy shtetet.
Ministri Hoxhaj, po ashtu, ka thënë se Kosova dhe Bullgaria do të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ku Policia e Kosovës dhe ajo bullgare do të kenë një bashkëpunim edhe më të mirë në luftimin e krimit ndërkombëtar.
Jemi pajtuar që të organizohen disa trajnime nga Akademia Policore e Bullgarisë për Policinë e Kosovës, bëri të ditur Hoxhaj.
Kurse, Zëvendëskryeministri Tsvetan Tsvetanov, ka thënë se Republika e Bullgarisë është e gatshme ti ofrojë Kosovës përvojën e saj në përmbushjen e standardeve evropiane sa i përket fushës së sigurisë.
Ne, po ashtu, mund të ndihmojmë në përmbushjen e standardeve evropiane, të nevojshme për procesin e liberalizimit të vizave, ka thënë Ministri i Brendshëm bullgar, Tsvetanov.
Nesër, e martë, Ministri Enver Hoxhaj, do të ketë takim me Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje në Asamblenë Nacionale të Bullgarisë, do të mbajë një ligjëratë në Institutin Diplomatik në Sofje si dhe do të shpërndajë letërnjoftime dhe pasaporta për mërgimtarët kosovarë në Bullgari.