Në Vojvodinë fabrikohen votues serbë për Kosovë
Novi Sad, 20 gusht - Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka kërkuar ndihmën e administratës së qytetit të Novi Sadit për regjistrimin e serbëve të ardhur nga Kosova që mund të votojnë në zgjedhjet lokale të Kosovës.
Në letrën që i është drejtuar prefektit të Novi Sadit, Milosh Vuçiçeviq, të cilën e ka publikuar Radiotelevizioni i Vojvodinës, kërkohet të sigurohet një zyrë dhe disa zyrtarë që do të bënin regjistrimin e serbëve të zhvendosur nga Kosova për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë.
Në letër thuhet se regjistrimi i serbëve të zhvendosur nga Kosova është e domosdoshme për sigurimin e një pjesëmarrjeje sa më të madhe të serbëve dhe joshqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, të cilat kanë rëndësi të jashtëzakonshme për ekzistencën e popullit serb në Kosovë.
Zëvendësi i prefektit të Novi Sadit, Milovan Amixhiq, ka thënë se autoritetet e kryeqytetit të Vojvodinës do të ndihmojnë me gjithë çfarë munden Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Sipas Amixhiqit, në Novi Sad jetojnë 5.311 serbë të zhvendosur nga Kosova, prej të cilëve rreth 4.500 kanë të drejtë vote.