Në Bruksel u zhvilluan bisedime teknike për telekom dhe energji
Bruksel, 18 maj - Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, udhëheqëse e dialogut teknik, qëndroi dje në Bruksel, ku mori pjesë në takimin e rradhës së dialogut teknik me Serbinë për çështjet e telekomit dhe energjisë.
Me ndërmjetësimin e përfaqësueseve të BE-së, Pier Mirel dhe Nicholas Cendrowicz, në këtë takim u diskutuan një varg çështjesh nga fusha e telekomit dhe të energjisë me qëllim të arritjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe zgjidhjes së problemeve ndërmjet të dyja shteteve.
Pas përfundimit të takimit zëvendëskryeministrja Edita Tahiri deklaroi se bisedimet ishin intensive dhe të fokusuara meqenëse se të dyja palët kanë mbajtur qëndrime konstruktive dhe kreative, që rezultoi me një përparim të konsiderueshëm në përafrimin e qëndrimeve mes palëve, ndërkohë që mbeten ende disa çështje për tu diskutuar në fazat e ardhshme.
Duke folur për përparimet konkrete, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri bëri të ditur se në fushën e telekomit përparimi kryesor është se Serbia është pajtuar që Kosova ta ketë kodin telefonik shtetëror, pra është pajtuar që t\'i heqë pengesat që ia ka krijuar Kosovës deri më tash.
\"Me këtë pajtim hapet rruga që ITU tia ndajë Kosovës Kodin shtetëror që i ka takuar edhe kur ka qenë njësi federale e Jugosllavisë, andaj presim që kodi 383 ose 384 ti ipet Kosovës së shpejti, tha znj.Tahiri.
Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi se ka pasur disa përparime në fushën e energjisë duke veçuar dy më kryesoret.
E para, që Serbia ka njohur pavarësinë e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës, me çka hapen mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve në këtë fushë si dhe i jepet fund shkeljeve që Serbia ia ka bërë Traktatit të Athinës për energji në raport me Kosovën.
Kjo njëherësh tregon se Serbia është pajtuar me konstatimin zyrtar të Sekretariatit të Komunitetit të Athinës për shkeljet dhe moskompenzimin për shfrytëzimin e rrjetit transmetues të Kosovës për shumë vite.
E dyta, është arritur pajtimi për krijimin e një komisioni trepalësh për vlerësimin e kompensimeve që Serbia duhet tia bëjë Kosovës për humbjet financiare që janë shkaktuar gjatë shfrytëzimit të linjave të transmisionit të energjisë elektrike të Kosovës për nevoja transiti si dhe për krijimin e kongjestioneve, që sipas rregullave ndërkombëtare shtetet obligohen ti kompensojnë.
Ajo po ashtu tha se në rast qe ky komision nuk do të mund të jap rezultate, atëherë palët janë pajtuar që çështja e kompensimeve do të trajtohet përmes një arbitrimi ndërkombëtarë.
Ajo po ashtu njoftoi se pala serbe ka kërkuar që në fushën e telekomunikacionit të licencojë një operator të telefonisë mobile në Kosovë, mirëpo kjo kërkesë është refuzuar nga pala e Kosovës sepse sipas ligjeve të Kosovës dhe të BE-së licencimin në fushën e telefonisë mobile bëhet mbi parimet e konkurrencës dhe për këtë duhet të ketë një tenderim ndërkombëtarë. Ne kemi ofruar gatishmërinë tonë që ti përgjigjemi çfarëdo zgjidhje që është konform ligjeve të Republikës së Kosovës dhe standardeve europiane, tha znj.Tahiri.
Në vazhdim ajo tha se palët kanë shprehur pajtimin edhe për arritjen e marrëveshjeve për ndërveprim/interkonekcion në fushën e energjisë dhe të telekomit që do të jetë në dobi të dyanshme, si dhe janë inkurajuar operatorët mobil të të dyja shteteve që të arrijnë marrëveshje roamingu, me qëllim që qytetarëve tu ofrohen çmime më të favorshme të telefonisë mobile. Më tej është diskutuar për bashkëpunime mes Autoriteteve rregullatore të të dyja vendeve në këto fusha.
Bisedimet do të vazhdojmë në kuadër të dialogut teknik edhe në fazat vijuese, dhe nëse nuk do të mund të arrihen marrëveshjet përfundimtare atëherë këto çështje do të trajtohen në takimin e dy Kryeministrave me ndërmjetësimin e BEsë, theksoi znj. Tahiri duke shtuar se për çështjet e telekomit dhe energjisë është duke u biseduar për më shumë se dy vjetë dhe shprehu bindjen se Marrëveshja për normalizim do ti jep shtytje përpara këtij procesi.
Në delegacionin e Kosovës të udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri morën pjesë: Gazmir Raci, koordinator dhe këshilltar politik i zëvendëskryeministres, Visar Xani, këshilltar politik i Zëvendëskryeministres, Fadil Ismajli, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Naim Bejtullahu, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i KOSTT-it, Enver Halimi, Kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Arben Gjukaj, Drejtor i KEK-ut, Merita Kostari, anëtare e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ekrem Hoxha, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, si dhe Besnik Berisha nga Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare