Ndalimi i hyrjes së zyrtarëve serbë, shkelje e Marrëveshjes
Beograd, 3 tetor - Qeveria e Serbisë ka reaguar ndaj vendimit të djeshëm të Prishtinës zyrtare për ndalimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë gjatë kohës së fushatës parazgjedhore.
Evropa e Lirë shkruan se sipas Serbisë, ky vendim ka shkaktuar njerën prej krizave më serioze në procesin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Zëdhënësi i qeverisë serbe, Millivoje Mihajllovic, është shprehur se vendimi dëmton marrëveshjen e Brukselit dhe autoritetet serbe do të ndërmarrin hapa konkretë në përgjigje të këtij vendimi.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Këshilltari i Presidentit të Serbisë, Marko Gjuric.
Një ditë më parë, Zv.kryeministrja Edita Tahiri, tha se se fushata parazgjedhore zhvillohet brenda një shteti dhe se ardhja e zyrtarëve të një shteti tjetër është e panevojshme.