Navalny i jep fund grevës së urisë
Moskë, 23 prill - Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny, njoftoi se do ta përfundojë grevën e tij të urisë.
Përmes një postimi në Instagram, Navalny tha se shëndeti i tij është i përkeqësuar dhe se po vazhdon të kërkojë që ai të kontrollohet nga mjekët e tij personal.
Më 22 prill, mjekët i thanë atij se duhet ta përfundojë grevën e urisë, dhe se nëse ajo vazhdon edhe pak "nuk do të kenë më një pacient për të trajtuar".
Navalny, 44-vjeçar tha se do të duhen 24 ditë për t'u kthyer gradualisht në një rutinë normale të ngrënies. Ai e filloi grevën e urisë më 31 mars duke kërkuar trajtim shëndetësor nga mjekët jasht burgut.
Mjeku personal i Navalnyt, kreu i sindikatës së Aleancës së Mjekëve të Rusisë dhe tre mjekë të tjerë, përfshirë një kardiolog, thanë në një letër për Shërbimi Penal Federal të Rusisë se gjendja e tij ishte përkeqësuar me shpejtësi dhe se ai mund të pësonte infarkt "në çdo minutë".
Vendimi për të ndërprerë grevën e urisë vjen dy ditë pasi mijëra rusë anëmbanë Rusisë iu bashkuan protestave duke kërkuar që Navalny të marrë trajtimin e duhur mjekësorë.
Protesta u thirr nga Fondacioni Kundër Korrupsionit, që e udhëheq Navalny (FBK). Autoritetet ruse kanë filluar procedurat për mbylljen e tij.
Më shumë se 1.700 persona u arrestuan gjatë protestave. Organizata Amnesty International ka thënë se kjo paraqet "goditje tronditëse të lirive themelore". Policia arrestoi të paktën 10 gazetarë në lidhje me mbulimin e protestave, sipas vëzhguesve të lirisë së medias.
Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku ai mori trajtim pas sulmin me agjent helmues në Siberi. Ai ka insistuar që helmimi i tij me një agjent nervor kimik - Noviçok - ishte urdhëruar direkt nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Në shkurt, një gjykatë në Moskë vendosi që ndërsa ishte në Gjermani, Navalny kishte shkelur kushtet e një lirimi me kusht nga një lëndë e vjetër gjyqësore.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë lidhur me çështjen Navalnyt dhe goditjen e qeverisë ndaj demonstruesve në fillim të këtij viti në tubimet që kundërshtuan arrestimit e Navalnyt./ REL