NATO planifikon rritjen e pranisë në Evropën Lindore

Bruksel, 11 shkurt - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se rritja e pranisë së aleancës në Evropën Lindore i dërgon një \"sinjal të qartë\" çdo agresori të mundshëm.
Duke folur sot në Bruksel në prag të një takimi dy-ditor të Ministrave të mbrojtjes të NATO-s, zoti Jens Stoltenberg, iu referua qartë Rusisë dhe tha se \"NATO-ja do ti përgjigjet si një e vetme çdo agresioni kundër çdo aleati.
Që nga marrja e Krimesë nga Rusia rreth dy vjet më parë, aleanca ushtarake perëndimore ka qenë gjithnjë e më e shqetësuar se Moska mund të pushtonte me shpejtësi Poloninë apo shtetet baltike.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha të mërkurën se shtimi i pranisë ushtarake të NATO-s në krahun lindor të saj, më i madhi në Evropë që nga Lufta e Ftohtë, është një faktor destabilizues që synon të frenojë Rusinë.
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës tha nga ana e tij se ministrat e mbrojtjes po shqyrtojnë kërkesën e Turqisë që NATO-ja të ndihmojë për të ngadalësuar fluksin e emigrantëve drejt Evropës.