11 Janar 2025

Mustafa: Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

Bruksel, 18 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot në Bruksel, me komisioneren e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë / zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini dhe deputeten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek.

Gjatë takimeve, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, kryeministri Mustafa ka kërkuar përkrahje për proceset integruese evropiane, në veçanti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Mustafa e njoftoi komisioneren Mogherini edhe për proceset aktuale në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik e social të vendit.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, foli për angazhimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e proceseve integruese evropiane, pas nënshkrimit dhe ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të MSA-së.

Komisionerja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahje për proceset integruese evropiane.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe komisionerja Mogherini kanë biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë kontekst, u theksua nevoja e vazhdimit të dialogut për përmirësimin e relacioneve ndërmjet dy shteteve, dhe u vlerësua qëndrimi konstruktiv i Kosovës në këtë proces.

Kryeministri Isa Mustafa, gjatë takimit, ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke qenë se Kosova i ka përmbushur kriteret e nevojshme.

Edhe gjatë takimit me deputeten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, kryeministri Mustafa ka kërkuar përkrahje për proceset integruese evropiane, dhe në veçanti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Mustafa e falënderoi eurodeputeten Lunacek për përkrahjen që ka dhënë për Kosovën, duke e njoftuar me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e gjithanshëm të vendit, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, shprehu përkrahjen e saj të mëtejshme për Kosovën.
 
Gjatë vizitës në Bruksel, sot kryeministri Mustafa dhe delegacioni qeveritar i Kosovës ka zhvilluar një takim të veçantë me biznesmenë kosovarë që veprojnë në Belgjikë.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa i ka njoftuar biznesmenët për reformat e rëndësishme që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm ambientin e të bërit biznes në Kosovë, si dhe për reformat fiskale, për stabilitetin financiar dhe për mundësitë e shumta që ofron Kosova për bizneset.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)