Mustafa kërkon përkrahjen e PE-së për liberalizimin e vizave
Bruksel, 18 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot në Bruksel, me kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, kryeministri Isa Mustafa, ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës, për përkrahjen e veçantë që PE ka ofruar për Kosovën.
Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë, me theks të veçantë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik dhe stabilitet të gjithanshëm në Kosovë.
Kryeministri Mustafa, theksoi rëndësinë e nënshkrimit të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke shprehur besimin se ajo do të ratifikohet së shpejti në Parlamentin Evropian.
Kryeministri Mustafa, kërkoi përkrahjen e PE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët, siç u shpreh kryeministri, janë të vetmit në Ballkan që nuk mund të lëvizin pa viza duke mbetur të izoluar.
Nuk ka më asnjë arsye për mosliberalizimin e vizave për kosovarët, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se BE-ja duhet të jetë në Kosovë dhe Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së.
Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ka theksuar përkrahjen e PE-së për Kosovën, duke vlerësuar progresin që po arrihet.
Kryetari Schulz shprehu mbështetje edhe për proceset integruese të Kosovës, duke përfshirë liberalizimin e vizave dhe hapat e tjerë të Kosovës.
Schulz theksoi nevojën për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë, duke shprehur shqetësimin rreth tensioneve të fundit politike.
Kryetari Schulz, po ashtu, ka shprehur përkrahjen e PE-së për vazhdimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke vlerësuar rolin konstruktiv të Kosovës.
Gjatë takimit është biseduar edhe për aktet e fundit terroriste që ndodhën në Francë.
Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa theksoi se këto janë probleme që kalojnë kufijtë nacionalë, duke shprehur angazhimin e fuqishëm të Kosovës në kuadër të koalicionit global kundër terrorizmit, duke përfshirë miratimin e akteve ligjore dhe masat konkrete që janë ndërmarrë.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Mustafa do të takohet edhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, komisioneren e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë / zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini, Komisionerin e BE-së, Dimitris Avramopoulos, eurodeputetët Ulrike Lunacek dhe Elmar Brook si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së e përfaqësues të bizneseve.