Mustafa: Beogradi të shqyrtojë edhe ndarjen e Serbisë
Preshevë, 23 maj - Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë se Serbia në rast të ndarjes së Kosovës duhet të bëhet gati për kërkesën e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që ti bashkohen Kosovës.
Zyrtarët e lartë të shtetit bëjnë thirrje për pragmatizëm kur bëhet fjalë për ndarjen e Kosovës, por nëse ata dëshirojnë të jenë 100 për qind pragmatikë, duhet të mendojnë edhe për ndarjen e Serbisë, sepse kërkesa e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në mënyrë automatike do të jetë qe ti bashkohen Kosovës, tha Mustafa për mediat serbe.
Mustafa që është edhe lider i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, ka thënë se kërkesa për tiu bashkuar Kosovës daton që nga janari i 2006-ës.
Ai ka thënë se nuk dihet qëndrimi i Prishtinës në lidhje me shkëmbimin e terrritoreve, por ai ka shtuar se kjo nuk nënkupton që në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës të mos shkohet deri te pika, ku do të diskutohet për ndarjen e territoreve në mënyrë që përgjithnjë të zgjidhet problemi mes shqiptarëve dhe serbëve.