Mungesa e presidentit, nuk i ndal bisedimet
Prishtinë, 31 mars - Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të ndalë dialogun me Serbinë, edhe pse Kosova nuk ka president.
Javën tjetër, përfaqësues të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ekspertë të EULEX-it dhe përfaqësues të autoritetet të regjistrave civile në Serbi do të takohen në Bruksel për tu marrë vesh rreth regjistrave civilë.
Aty nuk do të shkojnë as Edita Tahiri e as Borko Stefanovic. Takimi do të jetë i nivelit teknik. Grupi i ekspertëve do të quhet Komiteti për verifikimin e regjistrave civilë.
Burime në Bruksel kanë shpjeguar se ekspertët serbë, me vete do të sjellin edhe regjistrat civilë që Serbia e ka rrëmbyer nga Kosova, në kohën kur ushtria dhe policia serbe po tërhiqeshin nga vendi, në vitin 1999.
Kosova nuk do të marrë origjinalin e dokumenteve. Ekspertët, sidomos ata të EULEX-it do të ndihmojnë në verifikimin e kopjeve që do të sjellë Serbia. Nëse ato dalin si të qëndrueshme, do të certifikohen.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, pas mbledhjes së Qeverisë, i është shmangur komentimit të origjinalitetit të regjistrave civilë, por ka rikonfirmuar se dialogu do të vazhdojë, me gjithë mungesën e presidentit