Moore: Vendimi për Gjykatën e posaçme, i vështirë por i drejtë
Prishtinë, 4 maj - Drejtori i zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore shpreh mbështetjen amerikane për futjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Moore tha se Uashingtoni e mbështet në përgjithësi procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura, por shton se Kosova nuk duhet ti tejkalojë mundësitë e veta.
Zyrtari i Lartë i Departamentit të Shtetit thotë se vendimi për ngritjen e Gjykatës së Posaçme në Kosovë ishte i vështirë por i drejtë.
"Kjo është një temë e rëndësishme. Kosova është një vend sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtë të kujdeset për mbrojtjen e vet. Kemi zhvilluar diskutime me qeverinë e Prishtinës prej disa vitesh tashmë mbi mënyrat se si FSK-ja do të mund të transformohet në një lloj force tjetër, e aftë për të siguruar një mbrojtje të kufizuar territoriale të Kosovës", ka theksaur ai.
Sipas tij ky ka qenë një diskutim në të cilin kryeministri Thaçi ka qenë i përfshirë, ministri Çeku ka qenë shumë aktiv natyrisht, dhe ata kanë marrë disa këshilla të mira. Kemi pasur një shkëmbim të mirë të mendimesh për këtë", ka theksuar ai.
Sipas tij pika kyçe për ne dhe unë shpresoj që të gjithë ta dinë këtë është përkrahja jonë e fuqishme për Kosovën si pjesë e një Partneriteti për Paqe.
"Ne duam të shohim që Kosova një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Është një proces që do të dojë kohë. Pjesërisht, ai është një proces politik, sepse NATO duhet të ketë konsensus për këtë. Për fat të keq, katër anëtarë të NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran, e të pavarur, dhe kjo është gjithashtu pjesë e strategjisë sonë. Çështja e FSK-së është duke u diskutuar në Kuvend këtë javë", ka pohuar ai.
Sipas tij ajo është një çështje e rëndësishme dhe ne presim me padurim të shohim se si FSK-ja do të kthehet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Kjo çështje duhet të trajtohet në një mënyrë të kujdesshme, politikisht.
"Ka pikëpamje të partive të ndryshme politike, ka çështje të tjera që Kuvendi duhet të marrë në konsideratë dhe gjithashtu shohim që ekziston mundësia që Kuvendi së shpejti të mund të përfundojë punimet dhe të shkojë drejt zgjedhjeve", ka theksuar ai.
Sipas tij pra, ne mbështesim procesin në përgjithësi. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova të mos tejkalojë mundësitë e veta.
"Një forcë shumë e madhe jo vetëm që do të ndërlikonte situatën politike, por ajo gjithashtu do të ishte diçka që Kosova nuk mund ta përballojë. Dhe ka shumë prioritete të qarta ekonomike dhe buxhetore të cilat duhet të shihen me kujdes", ka theksuar ai.