Moon: Zbatimi i marrëveshjes është sfida kryesore
New York, 30 korrik - Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon në raportin e tij për zhvillimet tremujore në Kosovë ka vlerësuar pozitivisht hapat e ndërmarrë nga Prishtina dhe Beogradi që çuan në marrëveshjen historike dhe në një progres fondamental për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Moon përgëzon udhëheqjet politike në Serbi dhe Kosovë, të cilat kanë treguar angazhim serioz dhe të palëkundur gjatë dialogut.
Zbatimi i marrëveshjeve midis Beogradit dhe Prishtinës në veri të Kosovës mbetet një sfidë kryesore, shkruan Sekretari Ban për të shtuar se në këtë drejtim angazhimi i Beogradit me serbët e Kosovës mbetet i rëndësishëm, shkruan RTK.
Në mënyrë që të shmangen tensionet dhe arrihet sukses, Ban thotë se është e rëndësishme që edhe serbët lokalë të Kosovës ta shohin veten si palë e interesuar në proces.
Trashëgimitë e pazgjidhura të konfliktit, përfshirë edhe rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur si dhe sjellja para drejtësisë e të gjithë atyre që janë përgjegjës për krime të luftës dhe vepra të tjera penale, duhet të mbeten prioritete kyçe, thuhet në raportin mbi Kosovën të Sekretarin Ban ki Moon që përfshin një peridhë të zhvillimeve prej 23 prillit deri më 15 korrik.
/RTK/