26 Dhjetor 2024

Mogherini: Nuk do të ketë bisedime pa u hequr tarifat ndaj Serbisë

Bruksel, 18 shkurt - Shefja e politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha sot se nuk do të thërras raund të ri bisedimesh ndërmjet Prishtinës e Beogradit derisa autoritetet në Kosovë nuk i heqin apo pezullojnë tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ajo i bëri këto komente në Bruksel gjatë një konference për gazetarë, gjatë së cilës tha se është e gatshme që të mbyllet me javë apo muaj për të arritur një marrëveshje ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

“Në momentin që krijohen kushtet, jo vetëm që jam e gatshme që mëngjesin e ardhshëm të organizoj takimin, por edhe të mbyllemi për aq kohë sa nevojitet: shtatë ditë, një apo tre muaj”, tha ajo.

Por, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha të hënën gjatë një vizite në vendlindjen e tij në Gllogjan në Kosovën perënidmdore se tarifat nuk do të hiqen.

“Shpresoj më dëgjuat shumë mirë, po e shihni ku kam ardhur për ta thënë. Sa jam unë kryetar qeverie taksa nuk hiqet”,tha kryeministri Haradinaj

Kryeministri Haradinaj tha se çdo marrëveshje e mundshme me Serbinë nuk mund të prekë kufijtë.

“Kufiri Kosovë-Serbi ekziston, rruhet nga dy palët nga ne dhe pala tjetër dhe NATO dhe nuk ka kufij tjetër, as në emër të demarkimit nuk mund të ndryshojë ndonjë kufi as korrigjimit as nuk guxojmë të bëjmë më eksperimente. Një eksperiment që ka ndodh me Malin e Zi ju e dini çfarë vështirësish na ka sjellë dhe ende e kemi me vështirësi, pra është gabim të bëhen gabime të reja”,tha ai.

Marrëdhëniet ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe partnerëve të koalicionit qeverisës vazhdojnë të jenë acaruara për shkak të mendimeve të ndryshme lidhur me tarifat ndaj Serbisë.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, të dielën gjatë një seance solemne për nderë të përvjetorit të 11 të pavarësisë bëri thirrje për pezullimin e tarifave dhe ruajtjen e marrëdhënieve me aleatët.

Procesi i bisedimeve mbetet i pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për të vazhduar bisedimet pa heqjen e tarifave nga qeveria e Kosovës të vendosura pothuajse tre muaj më parë.

Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë thonë se një marrëveshje normalizimi ndërmjet palëve është e mundur, por shumë e vështirë për shkak të pikëpamjeve krejt të kundërta rreth saj, ndërsa të dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kanë çuar përpara idetë e tyre për një korrigjim të kufirit si zgjidhje ndërmjet dy vendeve.

Kjo ide po kundërshtohet nga shumica e udhëheqësve politik në Kosovë ndërsa faktorët ndërkombëtarë janë vënë në lëvizje që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt ndërmjet Kosovës e Serbisë, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)