Miratohet rezoluta për Kosovën
Rezoluta e re i hapë rrugë dialogut dhe normalizimit të raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nuk parashikon negociata të reja për statusin e Kosovës dhe njeh mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës Deklaratat e Pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Seanca e Asamblesë së Përgjithshme filloi dy orë me vonesë për shkak të kërkesës së Serbisë që delegacioni kosovar të largohet nga salla. Një gjë e tillë nuk ndodhi pavarësisht konsultimeve të gjata mes partnereve ndërkombëtarë.
Me të filluar seanca Ministri i Jashtëm i Serbisë kërkoi nga kryesuesi i Asamblesë që të sqarojë prezencën e Kosovës në sallë, pa qenë anëtare e OKB-së. Jeremiç vazhdoi me prezantimin e rezolutës, ku theksoi se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa kërkoi miratimin e rezolutës me konsensus shefi i diplomacisë serbe tha se e mirëpret gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Megjithëse nuk pati vota kundër për këtë rezolutë, përfaqësuesit e shteteve anëtare të OKB-së dhanë qëndrimet e tyre pro dhe kundër.
Siç ndodhedhe në mbledhjet e Asamblese se Pergjithshme shtetet anëtare që e kanë njohur pavarësinë, si SHBA, Turqia e Shqipëria, u deklaruan në favor të shpalljes së pavarësisë.
Kështu SHBA-të dhe Shqipëria i dhanë mbështetje të plotë rezolutës së miratuar e cila sipas tyre e trajton me respekt opinionin këshilldhënës të GJND-së. Që të dyja këto shtete inkurajuan Serbinë dhe Kosovën për marrëdhënie të mira në kuadër të fqinjësisë ndërshtetërore.
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Rosemary DiCarlo, tha se Washingtoni mbështet këtë rezolutë për të cilën sipas saj është arritur një konsensus në momentin e fundit. Ajo tha se mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka qenë i qartë dhe e ka vulosur pavarësinë e Kosovës. DiCarlo tha se Kosova është rast unik dhe se mbështet dialogun Prishtinë-Beograd për çështje teknike.
Ndërsa Rusia e Kina sërish kanë kërkuar mbetjen në fuqi të rezolutës 1244. Sipas përfaqësuesve të këtyre dy shteteve roli për zgjidhjen e këtij problemi i takon vetëm Këshillit të Sigurimit.
Kjo rezolutë në fakt është bërë nga BE-ja, ndërsa Serbia u detyrua ta pranojë, pasi në të kundërtën shteti serb nuk do të kishte të ardhme evropiane.
Në Serbi, disa parti e kanë quajtur "kapitullim", e disa edhe si "shpëtim" pranimin e presidentit serb, Boris Tadic për të ndryshuar versionin e parë të projektrezolutës, me anë të së cilës kërkoheshin negociata të reja për status dhe një vlerësim politik për Mendimin e GJND-së.