Ministrja Tahiri pritet nga Kryeministri Berisha
Prishtinë, 7 maj - Ministrja e Administratës Publike, znj. Edita Tahiri në vizitën e saj në Republikën e Shqipërisë u prit sot në mesditë nga Kryeministri i shtetit shqiptar, z. Sali Berisha.
Bashkëpunimi i ndërsjellë mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe këmbimi i përvojave dhe ekspertizave, në fusha që kanë të bëjnë me synimet dhe përgjegjësitë e MAP-it, kane qenë tema e takimit mes Kryeministrit Berisha dhe ministres Tahiri.
Ministrja e MAP-it, znj. Edita Tahiri, dukeshprehur kënaqësinë për takimin foli për zhvillimet dhe progresin e Kosovës si shteti më i ri në botë, si dhe për prioritet e ministrisë së Administratës Publike, duke vënë theksin e veçantë në reformën e administratës, në projektin strategjik të qeverisjes elektronike si dhe për përgatitjet intensive për procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave. Në kontekstin e reformave znj. Tahiri, theksoi nevojën për ndërtimin e një filozofie moderne të administratës publike, të orientuar drejt qytetarit dhe interesave të tij. Më tej ajo theksoi se në përgjithësi Kosova si shtet i ri, po e realizon një model të qeverisjes për qytetarët dhe perspektivat e gjithëmbarshme dhe mirëqenies së avancuar.
Ministrja Tahiri, në veçanti nënvizoi rëndësinë e promovimit të traditave të shquara administrative botërore, përfshirë këtu institucionet prestigjioze akademike siç është Universiteti i Harvardit, etj. Ajo u angazhua që të dy vendet të thellojnë bashkëpunimin në fushën e reformave strukturore të cilat çojnë vendet tona më shpejt në Bashkimin Evropian dhe Bashkësinë Euroatlantike. Znj. Tahiri po ashtu vlerësoi se zhvillimi i qeverisjes elektronike është qenësor në modernizimin e funksionimit të shteteve tona, ku kombinimi i potencialeve profesionale, të gjeneratës së re dhe teknologjisë informative janë sinergjia e duhur në ecjet tona strategjike.
Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, duke shprehur mirëseardhje të përzemërt, uroi Ministren Tahiri për postin e ri, duke siguruar që bashkëpunimi dhe mbështetja do të fuqizohet më tej me synimet e përbashkëta, që dy vendet tona të arrijnë lartësi të reja, në zhvillimet e gjithanshme si dhe në integrimet euroatlantike. Kryeministri Berisha, foli për çështje esenciale që kanë të bëjnë me reformën në administratën publike, ku meritat dhe shkollimet përkatëse i krijojnë themelet e një administrate shtetërore të qëndrueshme.
Berisha, në mënyrë të veçantë theksoi nevojën e këmbimit të përvojave të mira, duke vepruar në mënyrë komplementare në mbështetje reciproke të te dy vendeve dhe në veçanti në fushën e administratës publike. Në vazhdim Kryeministri Berisha, rikonfirmoj angazhimin e Shqipërisë për ta mbështetur zhvillimin e Kosovës në planin ndërkombëtar, në rritjen e njohjeve dhe integrimin e saj në institucionet ndërkombëtare.
Në këtë takim u bisedua për rëndësinë e fuqizimit të mëtejmë të strategjisë së reformave, me përqendrim në ngritjen profesionale të potencialeve të administratës publike me ç`rast të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për nisma të reja, që bëhen faktor mbështetës për rritjen e performancave të qeverisjes së mirë. Ishte zotim i përbashkët thellimi e bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha sferat e jetës, me qëllimin që të avancohen proceset zhvillimore, përmes politikave vizionare dhe dinamikave të rritura, që u mundësojnë të dyja vendeve të sigurojnë pozicion të respektuar në familjen e vendeve demokratike.