23 Dhjetor 2024

Ministrja Tahiri në konferencën ndërkombëtare të Berlinit

Berlin, 22 nëntor - Ministrja e Administratës Publike Znj. Edita Tahiri mori pjesë në konferencën e Berlinit “Drejtë një Evrope të qytetarëve” e organizuar nga iniciativa “A Soul for Europe” (Një shpirt për Evropën).

Kjo nismë është formuar nga personalitete të larta të Bashkimit Evropian dhe kryesohet nga Kryetari i Parlamentit evropian, Jerzy Buzek. Qëllimi i saj është fuqizimi Evropës së bashkuar, mbi bashkëpunimin e institucioneve dhe qytetarëve të Evropës.

Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference të ftuar në rolin e panelistëve ishin edhe eurodeputetët: znj. Doris Pack, dhe z. Hannes Swoboda, Elmar Brok, Jo Leinen, Jan Olbrycht, Androulla Vassiliou, Komisioner i Bashkimit Evropian për kulturë dhe edukim, Claus Sorensen, Drejtor gjeneral i Komisionit Evropian për Komunikim si dhe Wim Wenders, regjisor dhe drejtor i akademisë evropiane të filmit.

Tema kryesore e kësaj konference ishte  fuqizimi i rolit të qytetarëve në ndërtimin e Evropës, imazhin e Evropës si dhe format e reja të bashkëpunimit në mes të kulturës, biznesit dhe politikës.

Ministrja Tahiri, foli nga perspektiva institucionale e Republikës së Kosovës për integrimet evropiane dhe angazhimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës në iniciativat bashkëpunuese nga sferat e ndryshme politiko - institucionale, shkencore, kulturore,  të shoqërisë civile,  etj.

Duke u ndërlidhur me temën për strategjitë e forcimit të rolit të qytetarëve në ndërtimin e Evropës së bashkuar, Ministrja Tahiri theksoi rëndësinë e analizës së percepcioneve të  ndryshme që qytetarët e pjesëve të ndryshme të kontinentit kanë për idenë e Evropës së Bashkuar. 

Ajo tha se perceptimet janë të ndryshme - prej atyre që Evropën e Bashkuar e kuptojnë si mundësi për prosperitet dhe të tjerëve të cilët e kuptojnë si mundësi dhe përgjegjësi, andaj rritja  e vetëdijesë për përgjegjësinë ndaj ndërtimit të Evropës së Bashkuar duhet të jetë një prej elementeve qenësore të strategjisë, tha Tahiri.

Ministrja Edita Tahiri vlerësoi lartë këtë iniciativë qytetare për Evropën  dhe u angazhua për një bashkëpunim të ngushtë midis shoqërisë civile dhe politikës, për të çuar përpara objektivat e e kësaj nisme, duke konfirmuar mbështetjen e qeverisë për organizimin e një forumi të tillë në Kosovë nën drejtimin e Lirak Qelajtë, si anëtar i Grupit strategjik të kësaj iniciative.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës edhe në të kaluarën e kanë dëshmuar se janë të gatshëm që në forma të ndryshme të kontribuojnë për mbrojtjen e vlerave evropiane dhe unitetit mes popujve. Andaj anëtarësimi sa më parë i Republikës së Kosovës në strukturat evro-atlantike është një domosdoshmëri dhe një inspirim edhe më i madh për përkushtimin e tij për këto vlera, tha Ministrja Tahiri.

Panelistët tjerë të cilët ishin nga bota akademike, politike, artistike dhe e shoqërisë civile,  u ndalen te kontributi i qytetarëve përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe politike drejt fuqizimit të përkatësisë evropiane dhe ngritjes së imazhit qytetaro-evropian, ndikimit të komuniteteve në aksione qytetare dhe politikës në sfera të ndryshme sidomos në legjislacion dhe lehtësira sa më të mëdha për vendet aspirantë për bashkim evropian.  

Një konferencë e tillë si kjo në Berlin pritet të organizohet vitin e ardhshëm edhe në Prishtinë.

Ministrja Edita Tahiri mori pjesë poashtu edhe në pritjen e organizuar në Ambasadën Belge në Berlin, shteti i të cilit kryeson me Bashkimin Evropian, që organizohet për nderë të kësaj konference të rëndësishme për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Ministrja Tahiri gjatë kësaj vizite është pritur edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Gjermani, nga ambasadori Vilson Mirdita me bashkëpunëtorë. Po ashtu, ministrja Tahiri dhe delegacioni zhvilluan një takim joformal me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Erhard Buller. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)