Ministrja Gërvalla takon homologun e saj nga Malta
New York, 22 shtator - Në vazhdën e takimeve bilaterale në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Donika Gërvalla u takua sot me ministrin e Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të Maltës Evarist Bartolo.
Gjatë këtij takimi palët vlerësuan se raportet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe theksuan nevojën për të avancuar bashkëpunimin bilateral në fusha me interes si: ekonomi, arsim e kulturë.
Ministrja Gërvalla njoftoi ministrin Bartolo me angazhimin e Qeverisë së re të Kosovës për të krijuar një ambient të përshtatshëm për investitorë të huaj.
“Ne jemi tepër të përkushtuar që të forcojmë rendin dhe ligjin si parakusht për tërheqje të investimeve të huaja dhe si mundësi për krijim të vendeve të reja të punës. Andaj në Kosovë bizneset e huaja mund të gjejnë kushte tepër të mira për investim”, ka plotësuar ajo.
Po ashtu ministrja Gërvalla e falënderoi homologun e saj nga Malta për mbështetjen e shtetit të tij në përpjekjet e Kosovës për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar si dhe në rrugën drejt integrimit evropian.
Lidhur me këtë mori rikonfirmimin e kryediplomatit të Maltës se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe më tutje.