Ministri Pacolli pritet nga udhëheqësit më të lartë të shtetit të Iowa-s
Iowa, 12 janar - Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht në shtetin e Iowa-s është pritur në takime të ndara nga udhëheqësit më të lartë të këtij shteti, Universitete e shkolla profesionale, ndërkohë që ka marrë njohje të veçantë për vizitën e tij edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Kreu i Diplomacisë kosovare fillimisht është pritur nga Komiteti i Iowa-s për Marrëdhënie Ndërkombëtare, për të vazhduar më pas me Guvernatorën e këtij shteti, Kim Reynolds, Sekretarin e Shtetit, Paul Pate, Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Linda Upmeyer dhe Sekretarin e Bujqësisë, Bill Northey.
Në të gjitha këto takime janë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy shteteve simotra – Kosovës dhe Iowa-s, me zotimet e shprehura nga të dyja palët për zgjerimin dhe thellimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve.
“Kemi biseduar për marrëdhëniet bilaterale në mes të dy shteteve tona simotra, planet e përbashkëta në fushën e ekonomisë, arsimit, bujqësisë si dhe disa veprimet strategjike në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë."
"Ekzistojnë shumë mundësi përpara dhe përplot potenciale ende të pashfrytëzuara. Unë dua të shoh kompanitë multinacionale si John Deer apo Pionner edhe në Kosovë. Iowa duhet të shërbejë model për Kosovën në sektorin e bujqësisë."
"Është shteti më i njohur në ShBA për modernizimin dhe produktivitetin në bujqësi. Ne duhet të marrim si shembull përvojën e tyre në bujqësi. Presim investime dhe prezencë më të madhe të kompanive nga Iowa në Kosovë, që do të ndikonin në modernizimin dhe produktivitetin edhe të sektorit të bujqësisë në vendin tonë. Duhet të zgjerojmë më tutje bashkëpunimin edhe në fushën e arsimit”, ka thënë Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Pacolli.
Në kuadër të vizitës së tij të parë në këtë shtet, Ministri i Jashtëm Pacolli ka vizituar dhe ka mbajtur fjalime edhe në Universitetet dhe Shkollat më të njohura profesionale të këtij shteti.
Kryediplomatit kosovar Pacolli i është bërë njohje e veçantë edhe në kuadër të mbajtjes së punimeve të Dhomës së Përfaqësuesve të këtij shteti.
Për këtë ceremoni solemne, ju lutem shikoni videon e bashkangjitur.