Ministri Murati takohet me bashkatdhetarët në Suedi
Malmo, 4 maj - Në Malmo të Suedisë, ministri Murati u takua me bashkatdhetarët dhe përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme në këtë shtet.
Në këtë takim, ministri Murati i njoftoi të pranishmit për punën e Ministrisë së Diasporës.
\"Fokusi i angazhimit tonë është përmirësimi i gjendjes në aspektin e mësimit shqip në diasporë, regjistrimi i bashkatdhetarëve tanë dhe tërheqja e investimeve nga diaspora\", u shpreh ministri.\"
\"Në vazhdim, ai i njoftoi të pranishmit për marrëveshjen me Republikën e Shqipërisë lidhur me krijimin e mundësive për bërjen e praktikës në institucionet e këtyre dy shteteve nga studentët e diasporës. Me këtë rast, i ftoi ata të aplikojnë brenda afatit të paraparë.
Gjithashtu, i njoftoi prindërit për organizimin e kampeve në Kosovë për të rinjtë nga diaspora.
Të pranishmit e falënderuan ministrin për vizitën dhe, njëkohësisht, shprehën shqetësimet e tyre sidomos rreth çështjes së sigurimeve kufitare.